25 milionë euro në një muaj. Kaq para ka fituar Korporata Elektroenergjitike Shqiptare pas procedurave tenderuese për shitje të energjisë elektrike nga 26 nëntori deri në 25 dhjetor. Në këtë periudhë, KESH ka eksportuar 145 mijë e 136 megavat/orë energji me çmim mesatar 175.5 euro.

Në po të njëjtin hark kohor Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka depozituar në Kosovë më shumë se 115 mijë megavat/orë energji, për ta marrë pas në qershorin e vitit të ardhshëm këtë sasi.

Shitja e mbiprodhimit ven si pasojë e përmirësimit të situatës hidrike në Kaskadën e Drinit, kryesisht nga reshjet e muajit të shkuar që bashkë me dëmet, rikthyen edhe ekuilibrat në sektorin energjetik.

Niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka arritur në rreth 290 metër, nga 296 që është kuota maksimale. Komani ka arritur në pak më shumë se 172 metër, ndërsa Vau i Dejës në 74.7 metër, rreth 1 metër më pak nga pika maksimale.

Teksa parashikimet për situatën hidrike mbeten optimiste, e kundërta po ndodh me çmimin e energjisë elektrike në tregje. Në Bursën hungareze, çmimi i një megavatorë energjie ra të mërkurën në 86.6 euro nga mbi 95 euro për megavatorë që ishte një ditë më parë. Edhe për të enjten, çmimi pritet të vijojë trajektoren rënëse, duke u tregtuar për më pak se 52 euro.

Kjo do të bënte që për të njëjtën sasi të shituar më herët, me çmimet e reja të zhvlerësuara në bursa, KESH të fitonte 2 deri në 3 herë më pak para.