Pas fluksit dhe atmosferës së krijuar për krishtlindje dhe vitin e ri, Korça dhe gjithë zona turistike e juglindjes i është rikthyer normalitetit dhe qetësisë.

Me mijëra turistë, shijuan atë ç’ka Korça, hotelet, bujtinat dhe restorantet ofruan, ashtu sikurse nga ana tjetër edhe të ardhurat kanë qenë të kënaqshme.

Këtë fakt e konfirmojnë jo vetëm operatorët turistikë por edhe zyrtarë të pushtetit lokal.

Kërkesa e lartë për të kaluar festat në Korçë, ka bërë që edhe çmimet për festat e fundvitit të pësonin rritje, në disa raste edhe shume të ndjeshme.

Për bashkinë, ky fenomen do të jetë pjesë e diskutimit me operatorët turistikë, ndërsa këto të fundit mendojnë ndryshe.

Pas festave, Korça i ka sytë nga qielli dhe operatorët luten për reshje dëbore në mënyrë që të vijojnë të tërheqin vizitorë, pasi në të kundërt, turizmi ne juglindje rrezikon të futet në një gjumë të letargjik.