Një 34-vjeçar është arrestuar në pikën kufitare të Bllatës me Maqedoninë e Veriut, pasi u kap në flagrancë në përpjekje për të futur naftë të kontrabanduar me makinën e tij, tip Audi Q7.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Bllatë, në bashkëpunim me specialistët e seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Dibër, bazuar në analizën e riskut, si dhe në vijim të kontrolleve ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kufitare, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, automjetin tip “Audi Q7”, me drejtues shtetasin K. B., 34 vjeç”, tha Policia.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtonte 34-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën një sasi nafte të dyshuar të kontrabanduar, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi K. B. 34 vjeç, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.