“Ballkani Perëndimor dhe integrimi i tij në BE janë shumë të rëndësishme për mua”. Me këto fjalë, Kancelari gjerman, Olaf Scholz, nisi konferencën e përbashkët për mediat me Kryeministrin Edi Rama, në përfundim të takimit dypalësh të zhvilluar, këtë të martë, në Berlin.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës dhe familjes europiane. Prandaj gëzohem që Rama ra dakord për të zhvilluar më 16 tetor Samitin e Procesit të Berlinit, për herë të parë prej 10 vitesh në një shtet të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria priu me shembull të mirë dhe në janar ishte vendi i parë që i ratifikoi marrëveshjet e firmosura në nëntor”, shtoi Scholz.

Kancelari tha se integrimi i shpejtë i të gjashtë shteteve të rajonit në union ka rëndësi strategjike për qeverinë e tij. “Ne dëshirojmë t’i mirëpresim sa më shpejt të jetë e mundur si anëtarë. Thelbi i negociatave mbetet forcimi i sundimit të ligjit. Prandaj është mirë që anëtarë të bandave kriminale dhe zyrtarë të lartë janë paditur dhe dënuar”.

Scholz falënderoi vendin tonë edhe për rolin e saj në rreshtimin krah Perëndimit në reagimin pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë. “Agresioni rus tregon se demokracitë nuk mund të merren si të mirëqena. E falënderoj Shqipërinë për rolin e saj konstruktiv si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit në OKB dhe NATO”, shtoi Scholz.

“Marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Gjermanisë janë të shkëlqyera. Jemi të gëzuar që në këto kohë të vështira e llogarisim Shqipërinë si aleat”.