Prokuroria Tiranë ka dhënë detaje dhe informacion zyrtar në lidhje me arresimin e Alda Klosit, ish-zyrtares në shtëpinë e së cilës u vodhën qindra mijëra euro.

Sipas Prokurorisë, “në vazhdën e hetimeve dhe akteve hetimore të administruara në kuadër të këtij procedimi penal, kanë rezultuar fakte e rrethana që përbëjnë elementë të veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “ Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal. Sa sipër, mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme të bazuara në prova, është bërë ndalimi i shtetases A.K., e vënë nën hetim për konsumimin e elementeve të këtyre veprave penale”.

Me urdhrin e datës 03.02.2023, është regjistruar në regjistrin e veprave penale, emri i shtetases A. K., e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë, i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal.

“Hetimet në lidhje me ketë rast janë komplekse dhe në vijim, duke garantuar se Prokuroria është maksimalisht e angazhuar dhe do të kryejë çdo veprim hetimor me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, dhe vënien përpara përgjegjësisë te çdo personi të përfshirë në të”, tha Prokuroria.

Më parë, Prokuroria e Tiranës nisi verifikimin e pasurisë së xhaxhait të Alda Klosit. Ajo ra pre e vjedhjes nga sanitarja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi. Ish-zyrtarja deklaroi se 120 mijë eurot që ia kishin vjedhur, ishin të familjes së xhaxhait të saj, Ylli Çika, që jetonte në Amerikë, i cili ia ka lënë për të kompletuar shtëpinë dhe për nevoja pasi ai ishte i sëmurë me kancer. Ai ndërroi jetë më 18 janar.

Klosi ka pretenduar para hetuesve se paratë ishin të xhaxhait për mobilimin e shtëpisë apo dhe për t’i ruajtur ato. Por burime jo zyrtare thanë për A2 CNN se familja e Ylli Çikës ish-kirurg dentar, nuk ka pasur dijeni lidhur me deklarimet e Alda Klosit në polici dhe prokurori, ndërsa kanë mohuar përfshirjen e tyre në këtë histori.

Diçka e tillë vë në vështirësi gjetjen e burimit të parave, ndërsa prokurorja Mirela Zavalani i tha A2 CNN se dosja vijon të jetë në hetim dhe se prokuroria ende nuk ka dalë në një konkluzion sa u përket deklarimeve të ish-zyrtares. Pas njoftimit të policisë nga vajza e saj se shtëpia e marrë me qira ishte vjedhur, Alda Klosi tha në polici se kishin marrë 120 mijë euro dhe disa sende me vlerë.

Pas arrestimit të sanitares dhe djalit të saj, policia gjeti në shtëpinë e familjes Dobi dhe 400 mijë euro të tjera të fshehura në tubin e aspirimit. Vetë Rozeta Dobi tha se paratë i kishte marrë në shtëpinë e Klosit./a2