Enti Rregullator i Energjisë ka përcaktuar çmimet e reja të furnizimit të rreth 70 sipërmarrjeve të lidhura në tensionin e lartë dhe 7 mijë e 600 të tjerave në atë të mesëm.

Për bizneset e lidhura në tensionin 35 kilovolt, çmimi i ri do të jetë i vlefshëm vetëm për muajin janar dhe do të rishikohet sërish në vijim. Ndërkohë Bordi i ERE vendosi që për ato biznese që furnizohen në rrjetin 20, 10 dhe 6 kilovolt tarifa që do të paguajnë do të jetë e unifikuar dhe për të gjithë vitin.

 “Miratimin e shitjes së energjisë elektrike furnizuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për muajin janar 2023 prej 32.27 lekë për kilovatorë për klientët e lidhur në nivelin 35 kilovolt. Miratimin shitjes së energjisë elektrike furnizuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për periudhën 1 janar 2023-31 dhjetor 2023 në nivelin 18.26 lekë/kWh për klientët e lidhur në tensionin 20/10/6 kW”, u deklarua në mbledhjen e ERE.

Sipërmarrjet e lidhura në tensionin e lartë që përfshin fabrikat e përpunimit të drithit, bulmetit apo mineraleve janë pjesë e tregut të lirë prej vitit 2018, ndërsa vitin e shkuar “liberalizimit” iu bashkuan edhe rreth 7 mijë e 600 biznese të lidhura në tensionin 20, 10 dhe 6 kilovolt.

Në mbledhjen e së enjtes Enti Rregullator miratoi edhe çmimin me të cilin hidrocentralet e vogla apo ata që njihen si prodhues me përparësi me kapacitet nën 15 megavat/orë, ja shesin energjinë Korporatës Elektro-energjetike Shqiptare. Tarifa do të jetë 10 lekë për kilovat-orë, çmim ky më i lart nga ai që ERE kishte parashikuar fund-vitin e shkuar në nivelin 8.56 lekë për kilovat/orë.