Një djalë në Britaninë e Madhe donte të kishte muskuj barku, brenda pak ditësh, pa mbajtur dietë apo pa shkuar në palestër, me qëllimin e thjeshtë për të qenë në formë për verën. I riu, i cili donte të mbetej anonim, iu drejtua një prej tatuazhistëve më të njohur në Mançester, Dean Gunther, i cili vizatoi një “breshkë” perfekte në bark, për të cilën u deshën dy ditë për të përfunduar tatuazhin.

Djali, në pamundësi për të humbur peshë, vendosi të dizajnonte një fizik skulpturor, duke shmangur kështu sportet dhe dietën e rreptë. Videot e Deanit duke vizatuar me kujdes linjat e muskujve të barkut në trupin e klientit të tij kanë bërë bujë në rrjetet sociale.

“Ai vendosi për një tatuazh të veçantë, duke mundur të shijonte birrën dhe ushqimin e mirë. Unë isha i emocionuar që ta bëja këtë tatuazh sepse kisha parë dikë ta bënte atë më parë, por nuk dukej realiste, dhe ishin skica të thjeshta të zeza. Kështu, vendosa të marr përsipër këtë sfidë dhe ta bëj krejtësisht ndryshe. Ishte një nga kërkesat e mia më të pazakonta”, tha Gunther.

Dean tha se nuk ia ngarkoi klientit koston e tatuazhit, pasi për të ishte më shumë një projekt i bërë nga pasioni. Kjo punë ka ndarë opinionin publik mes atyre që vlerësojnë punën e artistit ekspert të tatuazheve dhe atyre që kritikojnë zgjedhjen e klientit që preferon këtë në vend të palestrës dhe dietës.