Katër fëmijë të vegjël janë vrarë me sëpatë nga një 25-vjeçar në një kopsht fëmijësh në qytetin Blumenau në Brazilin jugor. Sipas policisë vendase katër të tjerë janë plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.

25-vjeçari që hyri në kopsht rreth orës 09:00 me orën lokale të mërkurën, në të cilën ndodheshin rreth 40 fëmijë në kohën e sulmit. Zyrtarët deklaruan se sulmuesi kishte kapërcyer një mur për të hyrë në ndërtesë dhe me sa duket kishte shënjestruar viktimat rastësisht.

Prindërit vrapuan drejt kopshtit, ndërsa u përhap lajmi për ngjarjen, kurse 25-vjeçari iu dorëzua autoriteteve pa bërë asnjë rezistencë.

Zyrtarët e qytetit kanë pezulluar mësimet, ndërkohë që guvernatori i shtetit Santa Catarina – ku ndodhet Blumenau, ka shpallur tri ditë zie.

Nuk është hera e parë që një kopsht fëmijësh në shtet është shënjestër e një sulmi. Në vitin 2021, një 18-vjeçar vrau dy anëtarë të stafit dhe tre fëmijë të vegjël në një çerdhe në komunën e Saudades

Presidenti Luiz Inácio Lula da Silva shkroi në Twitter se “nuk ka dhimbje më të madhe se ajo e një familjeje që humbet fëmijët apo nipërit e saj, aq më tepër kur është përmes një akti dhune ndaj fëmijëve të pafajshëm që nuk mund të mbrohen”.

Qyteti ka rreth 360,000 banorë dhe është një destinacion popullor me vizitorët që eksplorojnë trashëgiminë gjermane të rajonit.