Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Kjo është hera e dytë që ministrja shkon në SPAK për të dhënë deklaratat e saj, brenda pak javësh.

Ministrja u paraqit më 13 mars të këtij viti në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë dëshmi në cilësinë e personit që ka dijeni rreth hetimeve për privatizimet e pronave të ushtrisë.

E pyetur nga gazetarët herën e parë që ishte në SPAK, ministrja Xhaçka është shprehur se është në dispozicion të drejtësisë, duke shtuar se asnjë nuk bën përjashtim nga procedura të tilla pavarësisht postit që mund të mbajë.

Ndërsa theksoi se nuk ka asnjë shkelje ligji nga ana e saj, Xhaçka shtoi po ashtu se pret ditën kur do të marrin përgjigje nga drejtësia “shpifjet që janë bërë në emër të saj”.

“Pa diskutim që unë jam në dispozicion të drejtësisë. Kjo është arsyeja për të cilën kemi punuar, kemi luftuar dhe kemi votuar që të gjithë të jemi në dispozicion të drejtësisë për të dhënë shpjegime, për t’u pyetur dhe për të dhënë përgjigje për të gjitha ato çështje që hetohen. Dhe, patjetër që unë nuk bëj përjashtim. Është e mirëseardhur dita për mua kur do të marrin përgjigje nga drejtësia edhe shpifje të ulëta si ajo e përdorimit të aseteve publike për arsye elektorale, por edhe alarmi fals që asete të cilat kanë qëndruar mes ndryshkut, do të kthehen sot në asete me vlerë, siç është rasti i portit të Sarandës,” deklaroi Xhaçka.