Dy persona, babë e bir, u arrestuan pasi akuzohen se tentuan t’i merrnin 100 mijë euro në asëj të mashtrimit një biznesmeni, përmes një skeme të organizuar kriminale. Policia gjithashtu shpalli në kërkim organizatorin, i cili duke u prezantuar si zyrtar i lartë, në komunikimet në rrjetet sociale, iu kërkonte biznesmenëve, shuma të mëdha parash.

Gjatë operacionit u sekuestruan 70 000 euro, 2 automjete, 5 celularë, 3 karta SIM, 1 laptop, 2 USB dhe 1 tablet.

“Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit B. V., 54 vjeç dhe A. V., 24 vjeç (babë e bir), banues në Tiranë. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi F. Gj., banues në Tiranë”, tha policia në një deklaratë për mediat.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit B. V. dhe A. V. do të merrnin shumën 100 000 euro nga një biznesmen. Shtetasi F. Gj. ka organizuar këtë veprimtari kriminale, duke iu prezantuar biznesmenit si zyrtar i lartë dhe duke i kërkuar shumën e parave, gjatë komunikimeve në rrjetet sociale.

Pas identifikimit, shtetasit B. V. dhe A. V. janë mbajtur në vëzhgim nga shërbimet operacionale të Policisë, deri në momentin kur janë arrestuar në flagrancë, para se të merrnin shumën e parave nga biznesmeni.

Nga veprimet e thelluara hetimore dyshohet se këta 3 shtetas janë autorë edhe të një rasti tjetër të ngjashëm, të ndodhur në muajin mars të këtij viti, në Tiranë, ku me anë të mashtrimit, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë, i kanë marrë një shumë të madhe parash një biznesmeni.

Vijon puna për kapjen e shtetasit F. Gj. dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer në bashkëpunim me 2 shtetasit e arrestuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.