Tentativa e shitblerjes së kanabisit në Lezhë ka rezultuar e dështuar.

F. P., 55 vjeç, banues në Rrëshen po tentonte që t’i shiste 11 kg kanabis 25-vjeçarit me inicialet N. T.,banues në Tiranë. Mirëpo, në ato momente, janë pikasur nga policia, të cilët i kanë vënë në pranga. Nga sa mësohet, kjo sasi droge po blihej me qëllim trafikimin drejt Malit të Zi.

Uniformat blu kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, sasinë e lëndës narkotike, 2 automjetet e personave të arrestuar, celularët e tyre dhe shuma parave. Ndërkohë, vijojnë hetimet nëse ka persona të tjerë të përfshirë.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Mbikalimi”, për goditjen e një tentative për tregtim të lëndës narkotike cannabis sativa, me qëllim trafikimin drejt Malit të Zi.

Kapen dhe arrestohen në flagrancë, në tentativë për të shitur/blerë sasinë e lëndës narkotike, 2 shtetas.

Sekuestrohen rreth 11 kg lëndë narkotike cannabis sativa, 2 automjetet e shtetasve të arrestuar, shuma parash dhe celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Lezhë, në bashkëpunim me ata të Forcës së Posaçme Operacionale, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme kundër krimeve në fushën e narkotikëve, si dhe si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës informative, për një rast të tregtimit të lëndës narkotike cannabis sativa, me qëllim trafikimin, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Mbikalimi”.

Në kuadër të këtij operacioni, nga ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve F. P., 55 vjeç, banues në Rrëshen dhe N. T., 25 vjeç, banues në Tiranë.

Në vendin e quajtur “Mbikalimi i Rrëshenit”, në Rrugën e Kombit, 55-vjeçari u kap teksa i shiste një sasi prej 11 kilogramësh lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, shtetasit N. T.

Nga veprimet hetimore të deritanishme rezulton se lënda narkotike do të blihej me qëllim trafikimin drejt Malit të Zi.

Sasia e lëndës narkotike, 2 automjetet e shtetasve të arrestuar, celularët e tyre dhe shuma parash u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në të.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të metejshme.

Njoftimi i policisë