Deputeti Socialist, Erjon Braçe, e ngriti për të disatën herë në Kuvend çështjen e çmimeve të larta në vend, në një kohë kur kudo rreth nesh dhe në Europë, ato janë ulur.

Me Indeksin e Organizatës Botërore të ushqimit dhe agrikulturës në dorë, që tregon se si çmimet kanë rënë në çdo kategori, Brace tha se ky është shqetësimi më i madh sot për qytetarët shqiptare që vazhdojnë të paguajnë shtrenjt edhe mallrat bazë të konsumit.

“Këto janë kurbat e çmimeve, të gjitha janë poshtë dhe më poshtë sesa niveli i një viti më parë. Kam një pyetje për ata që na ndjekin dhe bëjnë pazar. A keni verifikuar që çmimi i vajti të ketë rënë me 43.8%. Keni verifikuar që çmimi i bukës të bjerë me aq për qind sa ka rënë çmimi i drithit në tregjet ndërkombëtare, për sa kohë jemi importues. Keni verifikuar që të gjitha çmimet e tjera të fabrikuara të kenë rënë me kaq përqind?

Jo!

Atëherë unë mendoj se më e rëndësishme sesa të shahemi dhe të shpifim këtu, e të tregojmë me gisht gjithsecilin, është të bëjmë ekonominë funksionale. Të bëjmë tregjet të funksionojnë. Sepse ata që janë atje matanë kanë nevojë të ushqehen me cilësi, e me të lirë. E sa kohë çmimet në tregjet ndërkombëtare po bien po kaq e rëndësishme është që ato të reflektohen në çmimet me të cilat qytetarët e këtij vendi blejnë produktet e tyre për t’u ushqyer në harkun e një muaji.”

Erion Braçe në Parlament