Gjykata e Apelit ka lënë në masën e sigurisë “arrest me burg” Milena Derajn, ish-punonjësen e Bankës së Shqipërisë, e arrestuar më 24 maj me dyshimet se kishte përfituar 340 mijë euro nëpërmjet mashtrimit familjes Ferracaku.

Deraj ka dorëzuar një deklaratë noteriale ku pranonte se i njihte borxhin familjes Ferracaku, por pretendon se u detyrohet më pak dhe se nuk ua ka marrë përmes mashtrimit.

Sipas saj, nga shuma 340 mijë euro që u kishte marrë për të shpëtuar të akuzuarit nga dënimi me burg përjetë për masakrën e Velipojës, në fakt u detyrohet 225 mijë euro.

E pandehura shpjegon se i ka detyrim familjes Ferracaku 225 mijë euro dhe jo 340 mijë.

“Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, ka regjistruar procedimin penal, ndaj shtetases me iniciale M.D, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, ndaj familjes “Ferracaku” për ngjarjen e ndodhur në Velipojë, në vitin 2021.

Gjykata e Shkallës së parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest ne burg”, për personin nën hetim shtetasen me iniciale M.D, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, të parashikuar nga neni 143/3 të Kodit Penal.

Gjykata e shkallës së parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1127 Akti, datë 26.05.2023, ka vendosur:

  1. Vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim M.D
  2. Caktimin si masë sigurimi personal ndaj personit nën hetim M.D “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 të K.Pr. Penale.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale M.D, e cila kërkoi:

– Ndryshimin e masës së sigurimit me karakter shtrëngues “arrest në burg” dhënë nga gjykata e shkallës së parë dhe caktimin e një mase sigurimi më të lehtë.

Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 12.06.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar Znj. Irena Brahimi, vendosi:

– Miratimin e vendimit penal nr.1127 regjistri themeltar, datë 26.05.2022 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.”

NJOFTIMI I GJYKATËS SË APELIT