Policia e Tiranës njofton se ka vënë në pranga një 45-vjeçar, i identifikuar si Elton Duva, i cili ditën e djeshme, pas një konflikti të çastit me një tjetër shtetas, e ka goditur këtë të fundit me qytën e pistoletës dhe është larguar me shpejtësi.

Menjëherë, ai u shpall në kërkim dhe për pak minuta u arrit të arrestohej nga uniformat blu, ndërsa gjatë kontrollit iu gjet edhe një armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak.

“Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4 operacioni policor i koduar “Catch”. Goditi një shtetas me tytën e pistoletës, dhe më pas u largua, falë veprimeve të shpejta profesionale, brenda një kohe rekord, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e çdo rasti paligjmërie dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas informacionit të marrë se në rrugën “Thoma Filipeu”, një shtetas kishte goditur me tytën e një arme zjarri, një 37-vjeçar, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorit të dyshuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Catch”.

Si rezultat i operacionit u bë arrestimi i shtetasit E. D., 45 vjeç, banues në Tiranë. 45-vjeçari, ditën e djeshme, rreth orës 17:05, pas një konflikti të çastit në rrugën “Thoma Filipeu”, dyshohet se ka goditur me tytën e pistoletës, shtetasin R. H., 37 vjeç, dhe më pas është larguar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë e përdorur gjatë ngjarjes dhe sasi municioni luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”

POLICIA E TIRANËS