Turin Ballkanik e përmbylli me vizitën në Serbi. Me një dorështrëngim miqësor, kryeministri Edi Rama, takoi presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Beograd, me të cilin bisedoi për një sërë çështjesh, nga Open Balkan e deri te Kosova. Me gjithë përpjekjen për deklarata të kujdesshme në konferencën për shtyp, nuk munguan përplasjet për disa qëndrime, me shefin e qeverisë shqiptare që vuri theksin në zbatimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve dhe shqyrtimin e draft-statutit të tij për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ajo që është në letër u është dorëzuar kumbarëve të planit franko-gjerman, Macron, Scholz, por edhe Michel. U takon palëve ta lexojnë ose jo, ta marrin ose të mos e marrin parasysh. Unë e konsideroj një kontribut pozitiv dhe vlerësoj se tërheqja zvarrë e asociacionit të komunave serbe është një gabim strategjik”, tha Rama.

“Vetëm ekipi menaxhues serb duhet të merret dhe të prezantojë draft-statutin, asnjë lider francez apo gjerman. Ata janë kumbarët e planit franko-gjerman, jo të statutit, sepse është plani i tyre, Serbia nuk e ka krijuar atë plan. Megjithatë, ne nuk i quajmë kumbarë ata që ju imponojnë diçka. Ne në Serbi, kumbarët i zgjedhim vetë. I ftojmë ata në pagëzime apo dasma, por nuk janë kumbarë ata që ju imponojnë vendime të caktuara”, tha Vuçiç.

Dy liderët adresuan dhe shqetësimet nëse veriu i Kosovës mund të shndërrohet në një Donbas të Europës, për shkak të krizave të vazhdueshme.

“Askush nuk duhet të nënvlerësojë rrezikun kur gjendemi në një situatë që nuk duhet ta lejojmë të ndodhë, e cila mund të jetë e ngjashme me Donbasin dhe që do ta bënte të pamundur kthimin e situatës në qetësi”, tha Rama.

“Mendoj se askush që është normal nuk kërkon të shohë konflikt të çdo lloji. Lidhur me planin për shtensionimin, që foli Rama, i njoh përmendësh. Nga 3 pika Serbia ka realizuar 2, sepse duhet të veprojë edhe Prishtina. Të terhiqen kryetarët e komunave dhe më pas të vijojmë. Ne duam paqe. E dimë që si në Tiranë dhe në Prishtinë, mendojnë se Serbia është fajtore. Por duhet te dini se si është situata, se si janë reagimet në veri. Nuk kam problem të takohem me Albin Kurtin, unë kam folur me të gjithë që nga Thaçi dhe kam kërkuar që të gjej zgjidhje”, tha Vuçiç.

Rama dhe Vuçiç përmendën dhe të mirat që pritet të sjellë Procesi i Berlinit për të gjithë Ballkanin Perëndimor, me projekte dhe financime nga Bashkimi Europian, por nuk harruan “krijesën” e tyre: Ballkanin e Hapur.

“Ne gjithashtu do të kemi takime të përbashkëta në periudhën në vijim si pjesë e nismës Open Balkans. Po përgatitemi për panairin, i cili ndoshta do të jetë panairi i tretë më i madh në Evropë këtë vit, po flasim për “Ëine Vision” për nëntorin, të cilin do ta organizojmë në Beograd në kuadër të Open Balkans dhe besoj se do të jetë ndër të parët në botë”, tha Vuçiç.

Ndër të tjera përmendet dhe raportet e përmirësuara ndjeshëm mes Shqipërisë dhe Serbisë. Kryeministri Rama në turin e tij ballkanik, fillimisht u ndal në Maqedoninë e Veriut, për të kaluar më pas në Kosovë, ku homologu Kurti i refuzoi takimin, në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe përfunduar në Serbi.