Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit i ka kërkuar autorizim Kuvendit për arrestimin dhe kontrollin e banesës së ish-ministrit të Financave dhe ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Ish-ministri po hetohet për “shpërdorim të detyrës”, “fshehje të të ardhurave”, “korrupsion” dhe “pastrim të parave”.

SPAK, bashkangjitur kërkesës për arrestimin e Ahmetaj ka dërguar në Kuvend edhe një dosje voluminoze.

Në fillim të muajit mars, agjentët e BKH-së kryen kontrolle në banesën e partneres së ish-ministrit Arben Ahmetaj në Hamallaj dhe në banesën e ish-bashkëshortes së tij në Tiranë. Shtëpia në Hamallaj dhe një vilë në Palasë, që dyshohet se i përket ish-bashkëshortes së Ahmetajt, u vendosën nën sekuestro preventive nga Gjykata e Posaçme.

Ahmetaj është një nga personat më të akuzuar nga ana e opozitës, si i përfshirë në çështjen e inceneratorëve, për të cilën SPAK ka marrë disa të pandehur, mes tyre edhe ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin e PS, Alqi Bllako.

Në korrik të vitit të kaluar, Ahmetaj u shkarkua nga posti i zv.kryeministrit dhe i ministrit për Rindërtimin, por nuk u emërua në asnjë pozicion tjetër brenda kabinetit Rama. Gjithashtu, ai nuk u konfirmua si drejtues politik i PS-së në Vlorë, pozicion që iu besua Blendi Klosit.