Romelu Lukaku nuk ka më vend te Interi. Tradhtinë e sulmuesit belg, i cili së bashku me agjentin kanë negociuar ditët e fundit një transferim të mundshëm te Juventusi, ku do të zëvendësonte Vlaholic, klubi zikaltër nuk e ka toleruar aspak.

Mediat sportive në Itali raportojnë se pasi i kishte mbyllur telefonin drejtuesve të Interit prej ditësh, mbrëmjen e së premtes Lukaku ka telefonuar Piero Ausilion për t’u shpjeguar  se pse kanë ndodhur kontaktet me Juven.

Por drejtuesi zikaltër e ka mbyllur telefonin pas vetëm 30 sekondash, duke i komunikuar që sapo ka marrë fund tratativa me Chelsea-n për ta risjellë në Milano.

Për këtë vendim Ausilio ka marrë edhe mbështetjen e regjisorit të merkatos zikaltër Beppe Marotta, duke i komunikuar belgut se është e papranueshme që kontaktet e zbuluara me Juventusin kanë nisur që përpara finales së Champions League.

Ndërkohë, përveç tyre, ka pasur disa mesazhe jo direkte të agjentit të belgut edhe me Milanin, ndaj Interi i ka mbyllur përfundimisht derën sulmuesit.

Lukaku që kishte insistuar vetë për të qëndruar në Milano dhe ishte betuar për dashuri të përjetshme ndaj ngjyrave zikaltër tashmë shihet si një armik nga tifozët e Interit, pasi transferimi i tij nuk është më një çështje tekniko-sportive.

Në lojë janë vlera të tilla si besnikëria, besimi, drejtësia dhe të gjitha këto Piero Ausilio ia ka përsëritur Lukakut me tone të ashpra, pa i lënë mundësinë belgut të përgjigjet.