SPAK ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka bërë me dije detajet e një operacioni, në bashkëpunim me prokurorinë italiane, në kuadër të të cilit janë dhënë 14 masa sigurie.

Sipas SPAK, është goditur një grup i strukturuar kriminal që merrej me mashtrimin e blerjeve online, një operacion ky i nisur që në muajin tetor të vitit të kaluar.

Arrestimet u kryen pas kontrolleve dhe sekuestrimeve të bëra në një call center në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë dhe 140 kallëzimeve të personave të mashtruar në Itali.

Viktimat kontaktoheshin përmes telefonit dhe bindeshin të investonin në shuma të vogla. Klientët i shikonin fitimet në platforma të falsifikuara.

Mashtruesit ishin të aftë në përdorim teknikash reale bindëse, duke i bërë qytetarët të investonin shuma deri në qindra mijëra euro.

Grupi kishte role të ndara, operatorët që krijonin klientët, më pas këshilluesit, që ndiqnin viktimat hap pas hapi. Paratë e viktimave janë kthyer në kriptovalutë, duke u bërë të pagjurmueshme.