Mbi 11.500  të rinj kanë aplikuar deri tani për të ndjekur studimet e larta në Shqipëri. 10 programe studimi mund të përzgjedhin kandidatët në varësi të preferencave, por edhe rezultateve të tyre.

Portali U-albania do të jetë i hapur për këtë proces deri më 3 gusht ndaj të rinjtë mund të aplikojnë nga shtëpia apo kudo që ndodhen me pushime për universitetit që synojnë. “Nga çdo pikë e Shqipërisë dhe çdo pikë e rruzullit, mjafton të kenë internet, mund të hedhin 10 preferencat”, thotë kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj.

Ai tregon për A2 CNN se si do të veprohet për ato degë që do të zhvillojnë konkurs. “Mund të përmendim mjekësinë, arkitekturën, programe të arteve dhe sporteve që kanë qenë me teste. Të cilët i shkarkojnë nga data 4 deri në datën 6 të dhënat në sistem. Në datën 7 bëjnë publike datat e konkurseve dhe listat e maturantëve dhe në momentin që konkurset janë mbyllur, në datën 21, të gjithë universitetet e tjera shkarkojnë të dhënat nga sistemi”.

Kandidatët fitues do të shpallen në fund të gushtit për të nisur më pas regjistrimet më raunde në universitete. “Më 29 gusht është dita e parë e fillimit të regjistrimeve. Do të ketë 7 faza 48-orëshe dhe i gjithë procesi mbaron më 11 shtator. Pastaj ka një fazë riregjsitrimi për ata që rimendojnë zgjedhjen e tyre. Eksperienca ka treguar që mbi 85% e maturantëve regjistrohen që në raundin e parë”, thotë Xhelaj.

Këtë vit universitete nisin procesin mësimor më 2 tetor.