Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dalë me një reagim në lidhje me një foto të publikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, ku shfaqet Saimir Tahiri, Klement Balili dhe Safet Bajri duke ngrënë drekë ne qeli.

Në sqarimin e Drejtorisë së Burgjeve thuhet se fotoja është bërë në IEVP ‘Kosova e Lushnjës’ dhe në këtë burg ushqimi shërbehet në dhomat e të dënuarve, pasi nuk ka një mensë kolektive.

Në lidhje me pretendimet për pije alkoolike, Drejtoria e Burgjeve sqaron se “është e dukshme që në tavolinë janë shishe me ujë, si dhe gota me pije freskuese”.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, “fotografia ka qenë pjesë e disa fotografive të bëra nga personeli i IEVP “Kosovë e Lushnjës”, gjatë ndjekjes së një dite normale në Institucion, konform rregulloreve ne fuqi”.

“Sqarim i opinionit publik! Dëshirojmë t’ju informojmë se personat në fotografi, në kohën kur është bërë kjo foto, vuanin dënimin me statusin e ‘të burgosurit’ në IEVP ‘Kosova e Lushnjës’.

Këta të burgosur kanë qenë të akomoduar në të njëjtin sektor dhe është e rëndësishme të theksojmë se në këtë IEVP, ushqimi shërbehet gjithmonë në dhomat e të dënuarve, pasi nuk ekziston një ambient i veçantë (mensë kolektive) për ngrënien e ushqimit, por konsumohet vetëm në dhomat e tyre.

Në lidhje me pretendimet për pije alkoolike, është e dukshme që në tavolinë janë shishe me ujë, si dhe gota me pije freskuese.

Në asnjë rast nuk ka pasur shkelje, dhe në bazë të rregulloreve, konsumimi i verës apo pijeve alkoolike është i ndaluar në të gjitha IEVP-të në vendin tonë.

Fotografia në fjalë ka qenë pjesë e disa fotografive të bëra nga personeli i IEVP “Kosovë e Lushnjës”, gjatë ndjekjes së një dite normale në Institucion, konform rregulloreve ne fuqi.

Në të njëjtën kohë, dëshirojmë të bëjmë të ditur se ky institucion është përgjatë gjithë kohës i monitoruar nga SHKBB dhe mekanizmat monitorues.

Drejtoria e Burgjeve ju falënderon për ndjeshmërinë dhe është e hapur për adresimin e saktë të çdo shqetësimi me ndjeshmëri të lartë publike.

Duke ju falënderuar për mirëkuptimin,

Me respekt, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve”

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve