Një studim i ri thotë se, në Antarktidë ngrohja e oqeanit dhe humbja e akullit pothuajse me siguri do të bëhen më të zakonshme. Shkencëtarët paralajmërojnë se ekosistemi i brishtë mund të dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme nëse vazhdon ngrohja globale.

Bukuria e pacenuar e Antarktidës. Ky rajon i largët polar është nën kërcënim. Një studim i ri vë në dukje se dukuritë ekstreme, të tilla si valët e të nxehtit të oqeanit dhe humbja e akullit, ka shumë të ngjarë të bëhen më të zakonshme dhe më të rrezikshme.

Shkencëtarët rishikuan aktivitetet mjedisore në Antarktidë dhe përreth Oqeanit Jugor. Ata shqyrtuan të dhënat në lidhje me motin, akullin, temperaturat e oqeanit, sistemet e akullnajave, shtresave të akullit dhe biodiversitetin.

Studimi lidh fenomenet e fundit ekstreme, me ndryshimet klimatike dhe parashikimet se këto do të bëhen më të zakonshme dhe më të rrezikshme në të ardhmen.

Antarktida është e njohur për klimën e saj të ashpër dhe nën temperaturat zero. Por ndërsa pjesa tjetër e botës ka përjetuar valë të nxehti rekord në vitet e fundit, edhe ky rajon i ngrirë, po ngrohet. Në fakt, ajo po e godet Antarktidën edhe më fort.

Ruajtja e Antarktidës nuk është thelbësore vetëm për kafshët e egra që jetojnë aty, por edhe për pjesën tjetër të botës dhe klimën e saj. Aktualisht, shtresa e akullit të Antarktidës po humbet gjashtë herë më shumë masë në oqean sesa 30 vjet më parë.

Ajo mban mjaft ujë saqë nëse do të shkrihej plotësisht, niveli i detit në botë do të ngrihej me rreth 57 metra, duke vënë qytete të tëra nën ujë. Natyrisht, kjo do të kërkonte qindra vjet për të ndodhur. Por ndërsa akulli zvogëlohet, Tokës i hiqet një prej mjeteve më kritike për kontrollin e temperaturës.