Një person është vënë në pranga në Sarandë, pasi pakujdesia që ka treguar në makinë, ka bërë që të shkrepë armën, të cilën mbante me vete.

Pasi ka kryer qitjen e pavullnetshme, shtetasi në fjalë ka braktisur mjetin dhe ka tentuar të humbasë gjurmët, por policia është vënë në ndjekje të tij, duke e ndaluar.

Uniformat blu vijojnë kontrollin e zonës për gjetjen e armës së zjarrit, pasi kur është larguar me vrap, personi i arrestuar e ka hedhur atë.

Rreth orës 12:00, në lagjen nr. 1, Sarandë,  shtetasi K. Q., i cili udhëtonte me automjetin  tip “BMË”, dyshohet se duke luajtur me një armë zjarri, ka kryer qitje të pavullnetshme,  pa shkaktuar dëmtime të personit. Shtetasi K. Q. ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap, në brendësi të lagjes. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të shtetasit K. Q. dhe pas disa minutash ndjekjeje, bënë të mundur kapjen e tij.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.