Donald Trump kësaj radhe ka frikë. Është e vërtetë që ai orkestroi arrestimin në burgun e Atlantës si një reklamë zgjedhore, u paraqit si viktimë e përndjekjes politike, u kthye në Tëitter-in e tij të mëparshëm për të postuar imazhin e tij si “kriminel” dhe për t’u betuar se nuk do të dorëzohet kurrë. Në fakt, ai tashmë po shet bluza dhe filxhanë me fotografinë e tij të shkrepur nga burgu Fulton.

Kështu Donald Trump kërkon të marrë më të mirën e mundshme nga procesi gjyqësor i nisur kundër tij në shtetin amerikan të Xhorxhias, ku akuzohet për përmbysje të paligjshme të rezultatit zgjedhor në presidencialet e viti 2020. John Bolton, që ka shërbyer si këshilltar për sigurinë kombëtare nën presidencën Trump, tha se imazhi me shumë gjasa është kompozuar me kujdes të madh për t’u dukur intimidues ndaj prokurorëve dhe gjykatësve. 

“Mendoj se është si me shumicën e gjërave që bën Trump, të inskenuara me kujdes. Ata duhet të kenë menduar se çfarë pamjeje donin, ai mund të buzëqeshte, ai mund të ishte dukur mirë, përkundrazi ai duket si një bandit”, deklaron ish-këshilltari i Trump, John Bolton.

Qytetarët e konsiderojnë këtë një zhvillim komik dhe interesant.

“Do ta vishja një bluzë të tij. Është qesharake. Është sikur i gjithë skenari politik në SHBA është vërtet komedi në këtë pikë, kështu që është qesharake”, shprehet një qytetar.

“Është një fotografi ikonike. Trump duket si një horr i një libri me superheronj, kështu që është si i ngrirë në kohë. Kjo është diçka që do mbetet përgjithmonë”, thotë një shitëse.

Një opinion lidhur me atë imazh ka ardhur edhe nga presidenti amerikan, Joe Biden, duke e komplimentuar Trump me vlerësimin se duket si një “djalë i pashëm”.