Java politike për Sali Berishën nisi me akuza ndaj eksponentëve të lartë të maxhorancës duke i konsideruar ata si përfitues të aferës së inceneratorëve. Nga selia e PD-së, Berisha renditi shifrat e parave të hedhura deri më tani, ku theksin e vuri më shumë tek impianti i Tiranës, që nuk ka nisur ndërtimin.

Edi Rama, në apologjinë e vjedhjes më të madhe të shekullit, e quajti mangësi dhe nevoja, vjedhjen në 6 vite në djegësin e Tiranës, të 130 milionë eurove.128 milionë prej të cilave duhet të shpenzoheshin për ndërtimin e plotë të djegësit të Tiranës. Rama dhe Veliaj janë përgjegjës kryesorë për faktin se janë zhdukur 130 milionë euro dhe gjurmët e djegësit të Tiranës nuk ekzistojnë.”

Për liderin e rithemelimit hetimi nga prokuroria e posaçme është bërë për të shpëtuar Edi Ramën dhe Erion Veliajn, duke kërkuar një mobilizim të qytetarëve kundër kësaj afere.

“A ka shqiptar që mund të besoj se këtë fuqi magjike e kishte një hajdut ordiner me emrin Klodin Zoto.Kurrë! Në këtë kontekst do të ishte e pafalshme për qytetarët që detyrat që duhet të përmbushin vetë ndaj zgjidhjes përfundimtare të kësaj afere ta kërkojnë nga institucione të kapura këmbë e kokë nga Edi Rama.”

Berisha flet për një ndryshim të strategjisë së mazhorancës socialiste në menaxhimin e mbetjeve, që sipas tij do të shoqërohet me të tjera kosto.

“Dua të informoj se pasi kanë vjedhur mbi 200 milionë euro me djegësat, të cilët nuk ekzistojnë, Edi Rama po merr një kredi mbi 100 milionë euro, pikërisht për t’u rikthyer aty ku ishin në vitin 2013, te strategjia me landfille- veçim dhe riciklim.”

Prej disa javësh Berisha bën thirrje për protesta kundër kontratave korruptive koncesionare, por nuk ka njoftuar kur kanë plan të thërrasë qytetarët në shesh.