Propozimi i presidentit të Këshillit Europian Charles Mishel për të caktuar vitin 2030 si afatin, kur BE dhe vendet e rajonit duhet të jenë gati për zgjerimin, nuk pritet me entuziazëm në Komisionin Europian.

Teksa pranoi se zgjerimi është prioritet politik, zëdhënësja e kahut ekzekutiv të bllokut, theksoi se Komisioni nuk është i përqendruar tek afatet kohore, por tek ndihma e ofruar për vendet kandidate për të përparuar në procesin e zgjerimit.

Ajo theksoi se procesi duhet të mbetet i bazuar në merita dhe se kandidatët duhet të lëvizin në përputhje me suksesin e shënuar në përmbushjen e kushteve.

“E kemi thënë gjithmonë se zgjerimi është një proces i bazuar në merita çka nënkupton se një kandidat duhet t’i bashkohet bllokut kur të jetë gati.  Nuk jemi të fokusuar në afat kohore, por tek bashkëpunimi i afërt me vendet kandidate për t’i përgatitur për t’iu bashkuar bllokut. Jemi të përqendruar tek reformat, investimet, apo tek transformimi i ekonomive të këto shteteve.”

Zëdhënësja e Komisionit Evropian përseriti se suksesi në zgjerim kërkon që edhe kandidatët edhe BE-ja të bëhen gati. Ajo ka paralajmëruar se liderët e BE-së do të diskutojnë për zgjerimin në samitin e Granadës në Spanjë.

“Kemi instrumente për t’i ndihmuar vendet kandidate për t’u afruar me BE-në edhe para se të bëhen anëtare. Komisioni ka dëshmuar se është i përkushtuar që ta mbajë procesin e zgjerimit si prioritet.”

Spinat tha se “nuk është në dijeni nëse ka pasur kontakte mes Charles Michel dhe Ursula von der Leyen për këtë çështje”, para se presidenti i Këshillit Europian të dilte me propozimin e tij.

Gjatë fjalimit në Forumin Strategjik të Bledit, Mishel përsëriti disa herë se tani e tutje vendeve kandidate u duhet referuar si “anëtaret e ardhshëm të BE-së”.