Ka zgjatur vetëm pak ditë optimizmi për një anëtarësim të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi, mirëpriti deklaratën e presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel, për përcaktimin e vitit 2030 si afat për pranimin e vendeve të reja anëtare në bllok, por nënvizoi se zgjerimi nuk është një çështje datash.

Nëse ky është një mesazh nga Këshilli Europian se ai dëshiron të përfshihet më në fund dhe të bëjë një hap të madh për të arritur zgjerimin, ky është një lajm i mirëpritur. Sigurisht, Komisioni ka qenë gjithmonë gati për të bërë çdo propozim që na çon ne përpara. Unë mendoj se çështja e zgjerimit nuk është çështje datash. Mendoj se është më shumë çështje e vullnetit dhe përmbushjes së kushteve; si nga ana e BE-së, por edhe nga vendet partnere në Ballkanin Perëndimor apo tre vendeve të tjera kandidate për anëtarësim.

Oliver Varhelyi, komisioner i BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë
Varhelyi shtoi se Komisioni Europian është gati të bëjë çdo propozim të nevojshëm për të përshpejtuar procesin e zgjerimit, teksa njoftoi se që nga tetori do të paraqitet Plani i Rritjes, një mekanizëm që ofron integrim real për njerëzit dhe ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Eurokomisioneri shmangu përgjigjen se cili prej shteteve të rajonit do të pranohet i pari, duke nënvizuar se kjo varet nga shpejtësia e përmbushjes së kërkesave dhe reformave të kërkuara nga Brukseli. Gjatë Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë u fol shumë për integrimin, u caktua viti 2030 kur vendet e rajonit dhe BE-ja duhej të ishin gati për zgjerim, dhe Hungaria kërkoi pranimin e menjëhershëm të shteteve kandidate. Por Brukseli risolli në vëmendje se ky nuk është një proces që ecën përpara në bazë të dëshirave, por vlerëson meritokracinë.