Policia e Vlorës njofton se ka vënë në pranga një 23-vjeçar, i cili akuzohet se ka vrarë të atin, duke i vendosur një sasi lënde plasëse brenda sobës me gaz, duke i marrë jetën.

Bëhet fjalë për ngjarjen e rëndë të ditës së djeshme në Selenicë të Vlorës, ku u raportua se një 56-vjeçar kishte humbur jetën rrugës për spital, pasi ishte lënduar rëndë nga shpërthimi i një bombole.

Më pas, policia reagoi duke sqaruar ngjarjen dhe ku bëri me dije se lëndimet të ndjerit i ishin shkaktuar nga shpërthimi i një lënde plasëse, ndërsa sot zbuloi se bëhet fjalë për një ngjarje të qëllimshme.

Sikurse njofton policia, djali 23-vjeçar i viktimës dhunohej prej kohësh nga ky i fundit, e për pasojë i riu nuk ka duruar më dhe i ka vendosur brenda sobës me gaz, një sasi të konsiderueshme lënde plasëse, e cila ka shpërthyer dhe i ka marrë jetën babait të tij.

“Selenicë, Vlorë/Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, zbardhet ngjarja e ndodhur mëngjesin e djeshëm, në Selenicë, ku si pasojë e një shpërthimi, humbi jetën shtetasi D. G., 56 vjeç.

Fillimisht u dyshua se ngjarja ishte aksidentale, por hetimet e thelluara profesionale të Policisë, në drejtimin e Prokurorisë, zbardhën vendosjen e lëndës plasëse në sobën me gaz dhe identifikuan autorin e ngjarjes.

Vrau babanë e tij, duke vendosur lëndë eksplozive në sobën me gaz, vihet në pranga 23-vjeçari.

Sekuestrohen mekanizmi elektrik i përdorur për shpërthimin e lëndës plasëse, kallëpe me lëndë plasëse, granata, ndezësa granatash, armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e djeshëm, në territorin e jashtëm të banesës së shtetasit D. G., ngjarje e cila fillimisht u dyshua si aksidentale, grupi hetimor siguroi prova që krijonin dyshime se ngjarja mund të mos ishte aksidentale.

Bazuar në provat e siguruara dhe në veprimet e kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, në drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se ngjarja nuk ishte aksidentale, por e qëllimshme.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi M. G., 23 vjeç, djali i 56-vjeçarit që humbi jetën nga shpërthimi në territorin e jashtëm të banesës së tij.

23-vjeçari dyshohet se për shkak të dhunës së vazhdueshme që babai ka ushtruar ndaj tij, ka vendosur lëndë plasëse në sobën me gaz, në oborrin e banesës, nga shpërthimi i së cilës humbi jetën 56-vjeçari.”

Njoftimi i Policisë së Vlorës
Ndërkohë, më tej, në njoftimin e bluve të Vlorës, thuhet se, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:

Mekanizmi elektrik me të cilin është realizuar shpërthimi;

25 granata dore defensive;

37 kallëpe me lëndë plasëse tritol (me peshë 400 gr. secila);

43 kapsolla detonatorë;

5 ndezëse granatash;

1 armë zjarri pushkë;

1 celular;

2 thika;

310 fishekë luftarakë;

12 krehra për armë zjarri;

2 radio marrëse-dhënëse;

Kapuça;

Veshje për mbulimin e fytyrës;

Mjete për punime elektrike me ngjitje.