Pas rikthimit të tij në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka thirrur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Në këtë mbledhje u miratuan ndryshime statutore dhe Këshilli i ri Kombëtar, që forcojnë pozitat e tij në krye të partisë.

A2 CNN ka zbardhur disa nga propozimet e miratuara, ku Basha duket se i ka shtuar kompetencat vetes. Kjo sepse në nenin 48, pika 3, propozohet që kur Partia Demokratike të jetë në opozitë, kryetari i grupit Parlamentar të jetë vetë kryetari i Partisë. Pra Basha, “i ka bërë dalje” Gazment Bardhit, i cili i ka dalë kundër, dhe kompetencat ia ka kaluar vetes.

“Kur PDSH nuk është shumicë qeverisëse, Kryetari i Partisë është edhe Kryetar i Grupit Parlamentar. Kryetari i Partisë, me autorizim të tij, mund të caktojë një prej Nënkryetarëve të Partisë për të drejtuar Grupin Parlamentar”, thuhet në draft.

Ndërkohë, ka propozuar edhe përjashtimin nga anëtarësia të të gjithë atyre që kanë kandiduar me subjekte të tjera, më konkretisht me Partinë e Lirisë së Ilir Metës, aleatin e Sali Berishës.

Këto ndryshime pritet që t’i hapin rrugë ndryshimit të kupolës drejtuese, Kryesinë e re, edhe përfshirë Kreun e Grupit Parlamentar, që sipas statutit, zgjidhet në mesin e nënkryetarëve të partisë. Mbledhja do të nisë me disa fjalime të të rinjve për të vijuar me fjalimin e Bashës, për të ardhmen e partisë, më pas do të prezantohen ndryshimet statutore e në fund do të nisë votimi për propozimet e bëra.

Në ndryshim nga e kaluara, Lulzim Basha ka zgjedhur që të mbledhë Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike në pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Si për t’iu shmangur debatit të shifrave se sa pjesëmarrës ka pasur, Basha, nuk zgjodhi që të zhvillojë mbledhjen në Pallatin e Kongreseve ashtu si kurse ka ndodhur në krye të herës.

Ky Kuvend, duket se do të vulosë përçarjen e Partisë Demokratike, dhe në ndryshim nga Berisha dhe Gazment Bardhi që kanë dhënë sinjale për një ribashkim, Basha duket i vetëm në këtë betejë./a2