Policia italiane bën me dije se ka shkatërruar një bandë shumë të madhe që shpërndante lëndë narkotike në Alba dhe Bra, duke vënë në pranga 31 shqiptarë dhe 14 italianë, që kishin mbushur sheshet me droga të llojeve të ndryshme.

Gjëja që tërhoqi vëmendjen në këtë operacion të policisë dhe prokurorisë së Astit, ishte se të arrestuarit ishin të gjithë të rinj dhe pa precedentë penale.

Pjesë më e madhe e tyre, raportohet se kishin hyrë në Itali nga Shqipëria me viza turistike, dhe qëndronin në shtëpi me qira apo hotele me 4 yje mes Langhe dhe Roero dhe më pas një periudhe kohe ktheheshin.

Por në fakt hetimet zbuluan se qëllimi i vizitave të tyre nuk ishte turizmi, por shitja e drogës.

Operacioni kundër “bandës turistike” është rezultat i dy hetimeve të ndryshme të kryera veçmas nga karabinierët e Albës dhe Bra, duke nisur nga tetori i vitit të kaluar. Autoritetet deklarojnë se një pjesë e urdhërarresteve nuk janë ekzekutuar, pasi shumë prej shqiptarëve janë kthyer në Shqipëri.

Në fakt, besohet se vala e arrestimeve i ka “prerë kokën” të dyja qendrave të trafikut të drogës. Por është vetëm çështje kohe, duke qenë se kërkesa krijon ofertë.

Gjatë operacionit, ku u përfshinë 200 karabinierë, janë sekuestruar sasi të mëdha kokaine, hashashi, vaj hashashi, armë dhe para.