Është përmbysur tabloja sinoptike e motit në vendin tonë. Pas temperaturave të verës që shoqëruan shtatorin, sot reshjet e shiut dhe rrebeshet përfshinë vendin. Meterologia raporton se përveç reshjeve edhe temperaturat janë ulur ndjeshëm me 8 gradë.

“Jemi futur në kushtet tipike të vjeshtës, jo vetëm reshje, por rënie me 8 gradë të temperaturave. Më e lehtë ka qenë rënia në orët e natës e mëngjesit. Do të ketë fuqizim të vranësirave, rrebeshe afatshkurtra. Pasdite vonë kthjellime të kushteve të motit. Pas mesnate moti kthjellohet në 70% të territorit. Zonat jugore mbeten në vranësira dhe reshje të pakta gjatë orëve të para të ditës”.

Por sipas meteorologes Porja, kjo situatë do të jetë afatshkurtër, pasi pas mesnate dhe deri në fund të shtatorit do të rikthehen temperaturat mbi 30 gradë.

“Është një vjeshtë afatshkurtër. Nga nesër presim më shumë diell, pak vranësira. Është vetëm një vjeshtë dyditore, temperaturat do të rriten sërish. Një rritje më të lehtë në temperaturat minimale. Por mesdita do të ndryshojë. Presim temperatura mbi 30 gradë, gjë e cila thekson faktin se temperatura 32 gradë celsius nuk është tipike e shtatorit”.