Një i vdekur dhe tre të plagosur është bilanci nga të shtënat e regjistruara në Rrëshen, mëngjesin e kësaj të marte.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:40. I vrarë mbeti M. M. (B.)., kurse të plagosur janë I. B., I. B. dhe O. Gj., të cilët kanë qenë në afërsi të vendit, ku ka ndodhur ngjarja. Të plagosurit janë transportuar në spital, për të marrë ndihmën mjekësore.

Ndërkohë, në fshatin Gëziq, Mirditë, është gjetur duke i djegur një automjet tip fuoristradë, që dyshohet se është përdorur nga autorët, për kryerjen e vrasjes.

Siç bëhet e ditur, forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe në ndihmë të Policisë lokale, janë nisur Forcat Speciale “RENEA” dhe FNSH, si dhe në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës, janë ngritur pika kontrolli.

Gjithashtu, drejt vendit të ngjarjes janë nisur Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtorët e departamenteve të Policisë Kriminale, si dhe të Rendit dhe Sigurisë Publike.