“Beogradi po i fryn zjarrit të një konflikti të armatosur.” Është ky qëndrimi që ka mbajtur kryeministri Edi Rama pasi Beogradi e ka shpallur ditë zie të mërkurën për vrasjen e terroristëve serbë të cilët u përplasën me Policinë e Kosovës në Banjskë.

Në një reagim në platformën X, kreu i qeverisë thotë se zija e shpallur zyrtarisht në Beograd ishte mesazhi më i keq që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe komunitetit euro-atlantik.

Siç shprehet Rama, ajo që duhej të kishte bërë Beogradi ishte të hapte një hetim për anëtarët e grupit kriminal dhe për lidhjet e tyre me trafikantët e armëve apo individë në Serbi.

“Kjo është jo vetëm e pajustifikueshme dhe e papranueshme, por e dënueshme me të gjithë forcën e fjalës e të instrumentave në dispozicion të bashkësisë euro-atlantike! Ky është momenti që Serbia duhet ta ndajë qartë dhe prerë mendjen nëse do të jetë me Europën dhe botën demokratike të shekullit XXI apo me hijen e vetvetes së fundshekullit XX; me vlerat dhe parimet e Bashkimit Europian e të komunitetit euro-atlantik apo me fantazmat dhe me krimet e të shkuarës së saj të palavdishme të viteve ‘90; me të nesërmen europiane të fëmijëve të saj të pafajshëm apo me të djeshmen e fajshme të nacionalizmit vrasës e vetëvrasës!”

Rama nuk lë pa përmendur as Bashkimin Europian dhe SHBA-të dhe vëtë Kosovë. Për dy të parat Rama thotë se duhet ta ndajnë mendjen nëse “do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Veriun e Kosovës”. Ndërsa për Kosovën, kreu i qeverisë thotë se duhet të reflektojë dhe të ndajë mendjen nëse “vazhdojë në kursin e veprimit të shkëputur nga miqtë e saj të pazëvendësueshëm dhe aleatët e saj të padiskutueshëm apo do të veprojë në harmoni e mirëkuptim me komunitetin euro-atlantik.”