Ministria e Mbrojtjes së Serbisë mohoi deklaratat e fundit të kryeministrit Albin Kurti, i cili u shpreh më herët se në disa poligone serbe po stërviten pjesëtarë të grupit që sulmuan Policinë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

“Është gënjeshtër dhe absurditet i plotë që terrenet stërvitore të Forcave të Armatosura të Serbisë po përdoren për stërvitjet e ndonjë njësie, me përjashtim të njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe herë pas here edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, , thuhet në reagimin e Ministrisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se Millan Radoiçiq dhe grupi i tij, po përgatiten të kryejnë sulme të reja ndaj Kosovës.

Kurti përmendi disa lokacione në Serbi, përfshirë poligone ushtarake, ku pretendoi se po stërviten pjesëtarët e grupit të Radoiçiq.

Po ashtu, ai përmendi edhe poligonin e ushtrisë serbe në Peshter, ku sipas tij, kanë rinisur ushtrimet e një grupi prej 60 personash të “Mbrojtjes Civile”, që Kurti tha se kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë.