I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po organizon një takim urgjent në Bruksel lidhur me sulmin e armatosur në veri të Kosovës.

Në tryezë pjesëmarrës është edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, por gjithashtu edhe këshilltarë diplomatikë të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Bashkimi Europian ka reaguar me dy komunikata, në të cilat shefi i diplomacisë së jashtme, Josep Borrell, e konsideroi sulmin e armatosur “një agresion dhe akt terrorist”.

Atë që ndodhi e dënoi më herët edhe ndërmjetësuesi Lajçak. Duke shprehur tronditjen për ngjarjen, ai tha se gjatë ditëve në vazhdim do të përqendrohet në gjetjen e një rruge përpara në dialog.

Sipas Lajak, sulmi thekson edhe më shumë nevojën për dialog dhe diplomaci parandaluese. Në deklaratën e bërë në profilin e tij në Facebook, Lajçak tha se akte të tilla të dhunës janë thellësisht shqetësuese dhe janë kundër parimeve të paqes dhe bashkëpunimit.Megjithatë, emisari europian shmangu fajësimin e drejtpërdrejtë të grupeve kriminale serbe.