Vetëm një pikë për t’u kualifikuar zyrtarisht në Euro 2024 në Gjermani. Pas rezultateve të ndeshjeve të Grupit E kualifikues, ku Shqipëria qëndroi pushim, janë përcaktuar edhe më mirë objektivat e kuqezinjve.

Kombëtarja vazhdon të kryesojë me 13 pikë, e ndjekur nga Çekia me 11 dhe më pas vijnë Polonia me 10 pikë dhe Moldavia me 9. Me frenimin në Varshavë, polakët e shohin veten thuajse jashtë gare përballë Shqipërisë.

Skuadrës së Sylvinho do t’i mjaftonte vetëm një pikë më 17 nëntor në Moldavi, për të festuar kualifikimin e dytë në histori, në fazën finale të Kampionatit Europian.

Në mënyrë hipotetike, kuqezinjtë do të ngjiteshin në kuotën e 14 pikëve, me fitore në ndeshjen e fundit ndaj Çekisë, Polonia do t’i mbyllte kualifikueset me 13 pikë, teksa moldavët do të ngjiteshin në 10 pikë dhe nuk do t’u mjaftonte as fitorja në ndeshjen e fundit me çekët.

Shqipëria ka nevojë vetëm për një barazim, për ta mbyllur edicionin në dy vendet e para, ç’ka përkthehet në biletë direkte drejt Gjermanisë. Pa harruar këtu që më 20 nëntor do të luajmë edhe ndeshjen e fundit, përballë Ishujve Faroe në shtëpi.

Gjithçka është gati për festën. Kombëtarja e mbështetur nga tifozët entuziastë është gati të nisë marshimin drejt Gjermanisë.