Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, nuk është një dhuratë për të, por një e mirë që i bëhet edhe Europës. Në konferencë për mediat, krah kryeministrit Edi Rama, Macron vuri në pah dëshirën për një ribashkim të Europës dhe pjesë themelore e saj do duhet të jetë edhe Shqipëria

“Nuk është një dhuratë që i bëhet Shqipërisë, zgjerimi është mirë për ju, por edhe mirë për ne, sepse keni inteligjencën dhe vullnetin për ta mbajtur këtë ambicie, për të çuar përpara me guxim përpara reformat, këtu vë re një dashuri për parimet themeluese të Europës sonë, këtë rrugë do ta kryeni, ne do ju shoqërojmë me respekt dhe prova dashurie, me investime”, tha ai.

Macron është shprehur kundër burokracive për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në union.

“Nëse do kemi një Europë, kapitull pas kapitulli, unë dua që të jetë mjeti që vendi juaj të ecë përpara”, përfundoi Macron.

Ai theksoi se deri më tani janë hedhur 210 milion euro janë hedhur për 4 projekte duke theksuar se dhe 600 milion euro do hidhen deri në vitin 2027 për projekte të reja sipas prioriteteve të vendit tonë.

“210 mln euro janë hedhur për 4 projekte dhe më shumë se 600 mln euro do hidhen deri në vitin 2027 për projekte të reja sipas prioriteteve tuaja. Axhenda dypalëshe po shtohet dhe vullneti ynë është për një marrëveshje që do ta strukturojë këtë marrëdhënie. Gëzohem për atë që kemi ndërtuar këto vite bashkë në luftën kundër kriminalitetit dhe trafikut. Keni qenë efikase në këtë fushë”, tha Macron.