Zgjodhi Tiranën për të dhënë një mesazh shumë të keq për Kosovën. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, njoftoi karshi kryeministrit Edi Rama, se vendi i tij po pezullon heqjen e vizave për Kosovën.

“Është përgjegjësia e Vuçiçit që të dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit, pasi kontribuon me kthimin e qetësisë në veri dhe pastaj ajo që presim nga të dyja palët është riorganizimi i zgjedhjeve, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, formimi i asociacionit të komunave serbe nga Kosova dhe sipas kësaj radhe, pres që Vuçiç të jetë përgjegjës dhe të njëjtën gjë nga kryeministri dhe presidentja kosovare. Ju kemi besuar për vizat, por e kemi pezulluar sepse fjala nuk po mbahet”, deklaroi Macron.

Mbi këtë kërcënim të Macron për popullin e Kosovës, kryeministri i Shqipërisë u ndal të tregonte emocionet e tij.

“Mua më rrëqethet mishi kur mendoj se mund të ketë rindalesë për procesin e liberalizimit të vizave”, tha Rama.

Shefi i Elizesë tha se i ndjek me shumë vëmendje tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa kërkoi nga palët, zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Për kryeministrin Rama, këto nuk janë kushte, por një mundësi për ta çuar përpara procesin e paqes mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai këshilloi Kurtin që në mënyrë të njëanshme të nisë me zbatimin e planit franko-gjerman, për të përfituar njohjen nga 5 vendet mos njohëse të pavarësisë në BE dhe avancim në integrimin për në Bllok. I gjen Kurtit një krahasim edhe me Jaser Araftin.

 “Kosova të mos mbytet me një lugë ujë”, u shpreh Rama.

Gjuha e Macron-it ishte ndryshe kur foli për ecurinë e Serbisë në integrimin në BE duke thënë se procesi është ngadalësuar dhe se ky shtet ka bërë hapa pas. Megjithatë konsideratën personale për Serbinë nuk mbeti pa e përmendur publikisht në Tiranë.

“Për Serbinë kam shumë respekt, është futur herët herët në këtë proces dhe po ecën shumë ngadalë”, u shpreh Macron.