Ministri i Brendshëm Taulant Balla ndodhet në Lion të Francës, ku ka zhvilluar këtë të hënë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Interpol, Jürgen Stock.

Diskutimet mes tyre janë përqëndruar te thellimi i bashkëpunimit që konsiston në gjetjen e personave në kërkim nga drejtësia shqiptare, me Ballën që ka kërkuar t’i hapet rrugë ekstradimeve të bosëve të krimit nga Dubai dhe Amerika Latine.

Jam sot në Lion, në selinë e Interpolit, ku u takova me Sekretarin e Përgjithshëm Jurgen Stock dhe drejtuesit e tjerë të lartë të kësaj organizate. Kemi tashmë një listë personash në kërkim nga drejtësia shqiptare për krime të rënda të cilët fshihen prej vitesh, siç janë një numër i caktuar personash në Emiratet e Bashkuara apo në Amerikën Latine, ndaj të cilëve së bashku me Interpol na duhet t’i japim fund pandëshkueshmërisë. Ekstradimi i tyre drejt Shqipërisë duhet të realizohet sa më shpejt”, shprehet Balla.

Balla paralajmëron ndërkohë goditjen e rrjeteve kriminale shqiptare që trafikojnë droga të rënda në Europë dhe anasjelltas. Ai thekson se bashkpëunimi me Interpol për lokalizimin dhe arrestimin e disa nga personave më të kërkuar nga drejtësia do të thellohet edhe më tej.