Temperaturat e ulta, deri në -10 gradë, kanë ngrirë rrugët e fshatit Dardhë, duke shkaktuar probleme për drejtuesit e mjeteve.

Pjesa më e madhe e turistëve, pasi kanë kaluar drekën në restorantet e fshatit turistik, e kanë pasur tejet të vështirë për të dalë nga fshati në rrugët nacionale, pasi një pjesë e mirë e tyre nuk kanë qenë të pajisur me zinxhirë dhe goma dimri, duke krijuar kështu një trafik të rënduar e kaotik.

Në rrethana të tilla, drejtuesit e mjeteve kanë qenë të detyruar të ndihmojnë njeri-tjetrin për të kaluar rrugën kryesore të fshatit që të çon drejt Korçës.

Një situatë si kjo është krijuar edhe për shkak të temperaturave të ulta, por edhe sepse është e ndaluar kriposja e rrugës së shtruar me kalldrëm, ndaj drejtuesit e mjeteve para se të zbresin poshtë, duhet të lënë makinat te “Sheshi i valleve” dhe më pas të vazhdojnë rrugën në këmbë.

Gjatë gjithë ditës së sotme, sektori i qarkullimit rrugor ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që përdorin akset turistik rrugor Voskopojë e Dardhë për t’u pajisur me zinxhirë e goma dimërore.