Shtetet e Bashkuara do të bënin një gabim të përmasave historike nëse heqin dorë nga mbështetja për Kievin në luftën gati dyvjeçare me Rusinë. Paralajmërimi vjen nga shefi i CIA-s William Burns, teksa kongresi vazhdon të mbajë të bllokuar paketën e ndihmave ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën.

Votimi për paketën 60 miliardë dollarëshe për Ukrainën po kushtëzohet nga republikanët me projekt ligjin përforcimin e kontrolleve ndaj emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë. Në një ese të botuar të martën në revistën “Foreign Affairs” shefi i CIA-s e cilëson një marrëzi vendimin e Putinit për të sulmuar shtetin fqinj, e megjithatë ai nuk parashikon tërheqje të tij.

“Vazhdimi i furnizimit me armë do të vendoste Ukrainën në një pozitë më të fortë nëse shfaqet një mundësi për negociata serioze. Ndihma ofron një shans për të siguruar një fitore afatgjatë për Ukrainën dhe një humbje strategjike për Rusinë. Është gjithmonë gabim të nënvlerësohet fiksimi i Putinit për të kontrolluar Ukrainën. Pa këtë kontroll, ai beson se është e pamundur që Rusia të jetë një fuqi e madhe ose që ai të jetë një udhëheqës i madh rus.”

Ai i bëri thirrje Ukrainës që të godasë më thellë territorin e kontrolluar nga Rusia. Deklarata e Burns vjen teksa Kievi raportoi 35 sulme me dronë dhe raketa në rajone të shumta të vendit gjatë së martës. Forcat ajrore të Ukrainës thanë se mbrojtja ajrore shkatërroi 15 dronë në Mykolaiv, Sumy, Cherkasy, Dnipropetrovsk, Kherson Kiev dhe Kharkiv ku pati disa të plagosur.

Vala e sulmeve kishte kryesisht në shënjestër infrastrukturën e sektorit të karburantit dhe energjisë. Presidenti Volodimir Zelensky bëri të ditur se në një muaj 330 raketa dhe 600 dronë ishin lëshuar drejt Ukrainës nga rusët. 

Sakaq, Moska raportoi të hënën se mbrojtja e vet kishte shkatërruar 21 dronë ukrainas që kishin në shënjestër objektiva rusë.