Ka një rrezik real për sulm të mundshëm hibrid nga Serbia në dëm të Kosovës. Është ky alarmi që lëshohet nga instituti serioz Octopus përmes një analize të publikuar së fundmi, ku bëhet thirrje për veprime urgjente dhe të koordinuara vendore dhe ndërkombëtare. Në hulumtim thuhet se reagimi i Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës duket të jetë i shumanshëm, përtej fushës diplomatike, dhe po angazhon njësi të armatosura nga inteligjenca për të fabrikuar incidente terroriste, më saktë për të përsëritur të njëjtin skenar si në Rusi.

“Duke përdorur këtë skenar, mundësia që Serbia mund të orkestrojë sulme të ngjashme brenda kufijve të saj, apo edhe në Kosovë, për ta portretizuar veten si viktimë e terrorizmit, nuk mund të hidhet poshtë. Veprime të tilla do të shërbenin për objektiva të shumëfishta për Serbinë: përfitimin  e  simpatisë  ndërkombëtare,  komplikimin  e  kërkesës  së  Kosovës  për  anëtarësim  në Këshillin e Evropës dhe forcimin e qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës”, tha Hulumti nga Instituti Octopus.

Këshilla dhe thirrja për autoritetet e Kosovës dhe komunitetin ndërkombëtar është që t’i qaset me një sy kritik kësaj situatë, veçanërisht duke marrë parasysh veprimet e Serbisë. Rekomandimi konkret është që policia e Kosovës, KFOR-I dhe EULEX-I të rrisin vigjilencën dhe kapacitetet e sigurisë, me një vëmendje të veçantë në zonat me shumicë serbe. OCTOPUS thekson mes tjerash se BE-ja, NATO dhe vendet e QUINT-it duhet të angazhohen për të parandaluar këto qëllime malinje të Serbisë kundër Kosovës, në të kundërt, tolerimi dhe mos reagimi do ta nxisë atë që të shkelë vijat kufitare me Kosovës dhe vende të tjera të rajonit në forma hibride, terroriste, paraushtarake apo konvencionale, duke akomoduar dhe interesin e Rusisë për krijimin e fronteve të reja të luftës në botë.