Policia e Lezhës ka identifikuar dhe ka vënë në pranga dy të rinjtë përgjegjës për djegien e makinës së një efektivi policie në orët e para të mëngjesit të së hënës.

Nga videot e mbledhura nga kamerat e policisë, u zbulua se autorët e kësaj zjarrvënie të qëllimshme janë shtetasit Klaudio Gjokhilaj dhe Klaudio Kovaci.

Për motive ende të paqarta, dy të rinjtë i kanë djegur automjetin oficerit të Patrullës së Përgjithshme, trup shërbimi në Komisariatin e Policisë Lezhë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, njofton policia vendore.