Ismail Kadare, disidenti që krijoi vepra të mëdha në periudhën më të errët të vendit të vet, kur Shqipëria e kyçur me 50 drynë jetonte e izoluar si një fantazmë e Europës.

Që kur u botua për herë të parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në frëngjisht e deri më sot Ismail Kadare qëndroi si gjeneral i letërsisë shqipe, si shkrimtari që u përkthye dhe zuri vend në bibliotekat e gjithë botës, që rrëmbeu çdo çmim të rëndësishëm për letërsinë, ndërsa 2 dekada lakohen në listën e favoritëve për çmimin Nobel.

I rrëfeu botës gurët e qytetit ku lindi, legjendat shqiptare, besën, motive e mite që sot bota i njeh prej tij, vepra të cilat edhe pse për letërsinë shqipe janë një gur i rëndë në vend të vet, për lexuesin dhe kritikët e huaj një zë disident kundrejt çdo sistemi totalitar dhe njeriu që tregoi se Shqipëria dhe shqipja janë autentike, të magjishme përtej çdo honi politik e tranzicioni shoqëror.

Ismail Kadare është shuar në moshën 88-vjeçare sot ka rrëmbyer vëmendjen e gjithë botës. Edhe me poezinë, edhe me dramaturgjinë, edhe me esetë, edhe me kinemanë. Sepse fjala e tij siç pati do vijojë të ketë pushtet, të frymëzojë piktorë, aktorë, regjisorë, producentë e çdokënd që kompromisin e ka me artin.