Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi në seancën e së hënës që ta vazhdojë masën e ndalim qarkullimit deri më 6 prill për shkak të gjendjes së rënduar me koronavirusin. Ora policore, siç i referohet publiku i gjerë, do të vazhdojë të jetë në fuqi nga 22.00 deri në 05.00. Ky urdhër ka shkaktuar debate në radhët e partive politike sidomos, por edhe në rrjetet sociale me opozitën, si maqedonase edhe atë shqiptare të cilat kritikojnë pushtetin sepse nga ora 22 ka fare pak lëvizje, ndërsa restorantet e kafenetë mbyllen një orë më parë. Opozita dhe epidemiologët sugjerojnë që ndalim-qarkullimi të nisë disa orë më parë.

Gjendja me koronavirusin në vend është përkeqësuar në pak javët e fundit, teksa për çdo ditë mesatarisht regjistrohen nga njëzet viktima. Vetëm në 24 orët e fundit u evidentuan 30 vdekje. Numri i përgjithshëm i viktimave që nga shpërthimi i pandemisë ka shkuar në 3,503. Një shifër kjo ndër më të lartat jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë, për shtetin rreth dy milionësh.

Zyrtarisht, rreth 120 mijë persona janë diagnostikuar me Covid-19, por mendohet se shifrat të jenë për tre herë më të larta, për shkak se shumë raste me simptoma të buta apo edhe pa simptoma nuk paraqiten tek mjeku dhe nuk evidentohen fare. Ndërkohë, 14,851 raste janë aktive, në bazë të të dhënave të së hënës.

Maqedonia e Veriut ka arritur të sigurojë një numër të vogël vaksinash dhe atë pak mbi 8 mijë të kompanisë Pfizer që ia dhuroi Serbia dhe 3,000 të tjera vaksina ruse Sputnik V, si pjesë e një marrëveshjeje për blerjen e 100 mijë vaksinave ruse, sipas autoriteteve shëndetësore në Shkup. Me këto doza janë vaksinuar mjekë dhe personel shëndetësor, teksa autoritetet i kanë hedhur poshtë zërat që thonin se në këtë mes të ketë pasur edhe funksionarë e politikanë.