Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Angelo Massafra është solidarizuar sot me myslimanët shqiptarë që u shokuan nga sulmi me thikë që ndodhi te xhamia në Tiranë.

Lajmi i sulmit me thikë nga një individ në xhaminë e “Dine Hoxhës” në Tiranë ku kanë mbetur të plagosur disa besimtarë myslimanë na ka tronditur të gjithëve.

Kështu thuhet në mesazhin që Arqipeshkvi Shkodër- Pult dhe kryetari i Konferencës Ipeshkvore Angelo Massafra i ka dërguar kryetarit te Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Bujar Spahija, pas atentatit të sotëm në Xhaminë “Dine Hoxha” Tiranë.

Duke shpresuar që ngjarja të zbardhet sa më shpejt në të gjitha detajet e saj, ju shprehim juve, e nëpërmjet jush, të plagosurve e familjeve të tyre, afërsinë e solidaritetin e të gjithë Kishës katolike në Shqipëri.

I lutemi Zotit për ju të gjithë, që po jetoni edhe muajin e Ramazanit, për të plagosurit, për komunitetin tuaj e të gjithë shqiptarët që paqja dhe e mira të mbretërojë në zemrat tona e që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.