Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e “arrestit në burg” për shtetasit Denis Xholi dhe Albjon Çeku, të akuzuar për krim zgjedhor.

Dy të rinjtë akuzohen se u kapën me lekë dhe fletë votimi në makinën ku po udhëtonin në Maqellarë të Dibrës pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.

Në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur, policia sekuestroi një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik”.

Kujtojmë që ishin kandidatët për deputetë Xhelal Mziu dhe Luan Haka bashkë me militantë të PD-së të cilët bllokuan automjetin që dyshohej se shpërndante para për blerje votash, e që më pas, policia arrestoi zyrtarin e Bashkisë së Bulqizës, Denis Xholi dhe të afërmin e tij, Albjon Ceku.