Gazetari Artan Hoxha u shpreh mbrëmjen e sotme se është marrë peng nga grupet kriminale. Ai tha se kjo ka ndodhur në vitet ’97-të, ndërkohë që theksoi se tashmë është e vështirë pasi është personazh publik.

A të kanë marrë ndonjëherë peng? “Sigurisht që më kanë marrë peng, kujton se kam shpëtuar… Më kanë marrë në ’97-ën, jo tani” tha ai. Po tani? “Tani është problem, kur del në televizor dhe bëhesh i njohur është problem. Gjatë vitit të kaluar një kolegia jonë tentoi të bëjë këtë gjë që bëj unë zakonisht, mirëpo bëri një gabim, u fut natën. Natën do filmosh me prozhektor. Vuri veten në rrezik, kameramanin sepse nuk filmohet natën dhe të nesërmen ata kapën televizionin dhe ajo video nuk doli. Çështja është të hysh e të dalësh pa e marrë vesh ata se po e morën vesh mbaron filmi. Mua më ka ndodhur një rast, kam hyrë në një zonë, kam gjetur një plantacion me 45 mijë rrënjë, s’kisha parë aq të madh. Ata kishin gjetur një rezervuar nga ato të Enverit dhe ruhej nga policia vetë. Nuk e dija që ishte aq e madhe. Informacionin ma dha një grup tjetër që se kishin lënë të kultivonte. Është shumë e rrezikshme ta bësh këtë” tha ai.

Edhe pse nuk është zbuluar asnjëherë një laborator droge, qyteti kryesor në Shqipëri që pret ngarkesa sipas gazetarit Artan Hoxha është Fieri. Nga emisioni “Të Paekspozuarit” në MCN TV Hoxha tha se e quan Fierin Universitetin shqiptar të krimit të organizuar sepse siç tregon ai është shumë i evoluar.

“Dihet në Shqipëri vendi kryesor deri tani që ka pritur ngarkesa, është Fieri, por në Fier nuk është zbuluar kurrë asnjë laborator. Por Fierin unë e quaj Universitetin shqiptar të krimit të organizuar sepse është shumë i evoluuar, është pak i ekspozuar dhe as mediat dhe as policia nuk sulmojnë aty. Ndoqa një rast aty vitin e kaluar, kontenieri vinte nga Ekuadori, kaloi në Durrës nuk e kapi skaneri, e mori kompania që priste banane dhe papritur kur e çojnë në Patos shkuan dhe i grabitën dhe ngjarja u regjistrua si grabitje e thjeshtë. Në fakt ata grabitën kokainën sepse ky i shkreti kishte porositur banane dhe nuk dinte gjë. Ata i çmontuan kontenierin nga jashtë dhe ikën dhe kjo ngjarje u raportua se grabitje dhe u rrahën edhe rojet. Ata kanë krijuar grupe të fuqishme. Përdorimi i Shqipërisë si bazë operacionale do të thotë se ata kanë krijuar lidhjet e duhura në Shqipëri, paguajnë në Prokurori, në gjykatë, në polici dhe e kanë kollaj dhe financojnë fushatën sepse ata kanë para dhe nuk e kanë problem”, deklaroi Hoxha.

Arsyeja se përse u godit aq shpejt Lazarati përsa i takon kultivimit të kanabisit, sipas gazetarit Artan Hoxha është e lidhur me politikën. Ai tha se Lazarati u godit sapo erdhi qeveria e re sepse Lazaratin nuk e kontrollonte e majta, por e djathta. “Lazarati ishte një licencë kombëtare që të merreshe me trafikim sepse atë nuk e komandonin lazaratasit vetë, aty nga nuk ishin futur. Por pse u godit aq shpejt Lazarati, që në 2014-ën? U godit sapo erdhi qeveria e re sepse Lazaratin nuk e kontrollonte e majta, por e djathta. Praktikisht iu hoq nga kontrolli atyre që e kishin. Ndaj në Lazarat u gjetën 100 tonë hashash, para pafund dhe tre laboratorë përpunimi kanabisi. Ajo që bëhej në Lazarat u hap në të gjithë vendin. Duke e shtrirë aq shumë në masë do paguaje shumë taksa për policinë, gjeneratorët, rojet, tubacionet, ndërkohë çmimi ra. Policia në fund ngaqë s’po merrte kesh arriti të merrte nga depot si mall. Situata shkoi deri aty sa 1 në 3 rrugë ishte e policisë sepse nuk kishte më lekë”, tregoi Hoxha.