“Rezultati i sotëm shpjegon deklaratat e Pascal Ferré javën e kaluar, kur tha që ia kisha besuar atij sekretin se ambicia ime e vetme ishte ta përfundoja karrierën time me më shumë ‘Topa të Artë’ sesa Lionel Messi. Pascal Ferré gënjeu, ai përdori emrin tim për të promovuar veten dhe median për të cilin punon”.

Cristiano Ronaldo është tepër i zemëruar me kryeredaktorin e ‘France Football’, përgjegjës për dhënien e ‘Topit të Artë’. Ditët e fundit, Ferrè kishte deklaruar: “Ronaldo ka vetëm një ambicie dhe ajo është ta mbyllë karrierën e tij me më shumë ‘Topa të Artë’ se Messi. E di mirë këtë, sepse ma tha vetë”.

Nga ana e tij, Ronaldo sulmon ‘France Football’: “Është e papranueshme që personi përgjegjës për dhënien e një çmimi të tillë prestigjioz mund të gënjejë në këtë mënyrë, në mungesë respekti absolut për ata që e kanë respektuar gjithmonë ‘France Football’ dhe ‘Topin e Artë’.

Ai gënjeu deri më sot, duke justifikuar mungesën time në mbrëmjen Gala me një karantinë të pretenduar, që nuk ka arsye të ekzistojë. Gjithmonë dua t’i përgëzoj ata që fitojnë, brenda sportit dhe lojës së ndershme që e kanë udhëhequr karrierën time qysh në fillim.

E bëj këtë sepse nuk jam kurrë kundër askujt. Fitoj gjithmonë për veten time dhe për klubet që përfaqësoj. Fitoj për veten time dhe për ata që më duan. Unë nuk fitoj kundër askujt. Ambicia më e madhe e karrierës sime është të fitoj tituj kombëtarë dhe ndërkombëtarë për klubet që përfaqësoj dhe kombëtaren e vendit tim.

Ambicia më e madhe e karrierës sime është të jem shembull i mirë për të gjithë ata që janë apo duan të jenë futbollistë profesionistë. Ambicia më e madhe e karrierës sime është të lë emrin tim të shkruar me shkronja të arta në historinë e futbollit botëror.

Përfundoj duke thënë se fokusi im është tashmë ndeshja e radhës me Manchester United dhe në gjithçka që, së bashku me shokët e skuadrës dhe tifozët tanë, mund të arrijmë ende këtë sezon”.