Fundjava që sapo lamë pas ishte mjaft pozitive për legjionarët kuqezinj, që aktivizohen në kampionatet europiane. Gola, debutime, asiste dhe paraqitje mjaft të mira kanë dhuruar futbollistët e kombëtares sonë, të cilët jave pas jave po tregojnë cilësitë e tyre të mira.

Myrto Uzuni, i cili ndryshoi skuadër, duke kaluar nga Ferencvaros te Granada në La Liga ka debutuar mbrëmjen e kaluar ndaj Realit të Madridit. Sulmuesi kuqezi e nisi ndeshjen që nga minuta e parë dhe luajti për 80 minuta, duke treguar një paraqitje të kënaqshme në radhët e skuadrës së tij. Vlerësimi përfundimtar i uebsajtit të specializuar për statistika “SofaScore” ishte 6.9 për beratasin kuqezi.

Sakaq, një tjetër “debutim”, kësaj radhe që nga minuta e parë, ishte edhe për futbollistin e Shpresave, Kristjan Asllani. Në ndeshjen ndaj Bologna, mesfushori shqiptar i Empolit u aktivizua si titullar dhe luajti për 90 minuta, teksa më parë kishte luajtur vetëm si zëvendësues.

Asllani bëri një ndeshje të mirë, ndërsa u vlerësua edhe nga trajneri i skuadrës, Aurelio Andreacoli. Edhe Nedim Bajrami pati minutat e tij nën këmbë në këtë ndeshje, duke u aktivizuar që nga minuta e parë e më tej u zëvendësua nga shoku i skuadrës.

Një tjetër element i Shpresave la gjurmë në ndeshjet e kësaj jave. Bëhet fjalë për Bernard Karricën, i cili shënoi golin e vetëm për skuadrën e tij në sfidën ndaj Osijekut. Ky ishte edhe goli i parë për futbollistin kuqezi në kampionatin kroat. Karrica konsiderohet si një nga talentet e së ardhmes në kampin kuqezi.

Ernest Muçi ishte sërish protagonist në Poloni, teksa shënoi një tjetër gol për Legian e Varshavës brenda pak ditëve, në një sfidë miqësore që skuadra e tij zhvilloi këtë fundjavë ndaj GKS Belchatow.

Minuta në fundjavë ka pasur edhe për futbollistë të tjerë të kombëtares, që nga Thomas Strakosha, i cili ka qenë një element mjaft i rëndësishëm për Lazion në ndeshjen e fituar ndaj Fiorentinës, teksa u aktivizua edhe Elseid Hysaj.

Berat Gjimshiti gjithashtu ka qenë titullar tek Atalanta, ndërsa paraqitje të mirë ka dhuruar edhe Armando Broja, i cili e nisi ndeshjen nga stoli, por la shenjë në fitoren që Southampton arriti ndaj Coventry City-t, duke dhënë asistin e tij te goli i fitores në shtesat e ndeshjes.