Zëdhënësi i presidentit të Republikës, Ilir Meta, i është pëgjigjur shumë ashpër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit tha sot për kreun e shtetit se shkon banaqeve televizive gjysmë i dehur dhe iu shpall luftë SHBA.

Tedi Blushi i ka kujtuar kreut të Bashkisë së Tiranës skandalin e inceratorëve, duke e konsideruar pjesë të një organizate kriminale: “Organizata Kriminale e inceneratorëve përmes një keqbërësi të interesit publik, që përdoret si qen sulmi nga Brigadieri i kësaj organizate sulmoi sot figurën e Presidentit të Republikës me shpifje të denja për një rrugaç.

Të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë i dinë mirë arsyet se përse Organizata Kriminale e inceneratorëve dhe të gjithë kriminalizimit të shtetit e shoqërisë e urren Presidentin Meta si denoncuesin e palëkundur, bazuar mbi fakte publike dhe transparente, jo vetëm të aferës makabre të inceneratorëve, por edhe të shumë koncesioneve të tjera korruptive.

Presidenti i Republikës ndonëse kishte vendosur edhe në respekt të Kongresit të PS të mos bënte asnjë postim apo dalje mediatike, pas shpifjeve të programuara nga organizata e incineratorëve kundër Kreut të Shtetit, në respekt të të gjithë qytetarëve, por edhe të delegatëve të Kongresit të PS sot pasdite do të mbajë një konferencë shtypi.

Ja çfarë tha sot në mëngjes Erion Veliaj për presidentin: 

Në qoftë se Ilir Meta kalon kohë banaqeve, gjysmë i dehur, duke i shpallur luftë Amerikës, na duhet dikush që i shëron këto plagë dhe ne sillemi si një shtet serioz. Ne nuk mund të jemi aleat kryesor në nivel kryeministri dhe pastaj, armiq në nivel presidenti.

Kjo nuk mund të ndodhë sepse në një vend serioz ka një linjë që ndiqet në një marrëdhënie dhe në një raport special. Çdo president burrë apo grua, që është diametralisht i kundërt me këto lloj anomalish, do e sillte në normalitet edhe institucionin që kemi në anën tjetër të bulevardit”,